Politika e Dyqaneve të PayPal

>> Shikoni të gjitha marrëveshjet ligjore

Politika e Dyqaneve të PayPal

Përditësimi i fundit: 8 mars 2007

 

Termat e mëposhtëm zbatohen specifikisht për përdorimin e tiparit Dyqanet PayPal, i cili i mundëson përdoruesve që të ndajnë të dhëna rreth faqes së tyre të internetit përmes adresës www.paypal.com.

  1. Saktësia e informacioneve për regjistrimin e faqes së internetit. Të gjitha informacionet e dhëna në momentin e regjistrimit në Dyqanet PayPal duhet të jenë të sakta, duke përfshirë titullin e faqes së internetit, përshkrimin, kategorinë si dhe të gjitha informacionet e tjera të kërkuara. Nëse ndodhin ndryshime në informacionet e dhëna për regjistrimin në Dyqanet PayPal, duhet t'i përditësoni menjëherë këto të dhëna përmes faqes së internetit të PayPal. Mospërmbushja e këtij detyrimi do të rezultojë në heqjen e çdo informacioni që përmend faqen tuaj të internetit në PayPal, dhe mund të rezultojë në humbjen e përhershme të së drejtës për të regjistruar faqen e internetit në PayPal. Dhënia e informacioneve të rreme mund të çojë në bllokimin ose mbylljen e llogarisë tuaj të PayPal. Për të konfirmuar saktësinë e të dhënave të regjistrimit, ju i jepni PayPal të drejtën për të aksesuar faqen tuaj përmes vëzhgimit manual ose indeksimit automatik ("spidering"), ose përmes teknikave të tjera të kërkimit automatik. PayPal nuk ka detyrimin për të monitoruar saktësinë e informacioneve të faqes tuaj.

  2. Pranueshmëria.

    1. Përdoruesit në SHBA. Përdoruesit në SHBA që përmbushin kushtet në vijim konsiderohen të pranueshëm për të regjistruar një faqe interneti në Dyqanet Paypal:
      1. Përdoruesi ka një llogari biznesi ose llogari "premier" të verifikuar
      2. Përdoruesi ka një kartë krediti të regjistruar të lidhur me llogarinë e PayPal.
      3. Përdoruesi ka hapur një llogari në Fondin e tregut të parave të PayPal.
      Nëse në një moment të caktuar, pronari i një dyqani të regjistruar nuk përmbush një ose disa nga kërkesat e renditura më sipër, atëherë ajo faqe interneti nuk do të listohet më në direktorinë e Dyqaneve PayPal.

    2. Përdoruesit kanadezë. Përdoruesit kanadezë që përmbushin kushtet në vijim janë të pranueshëm për të regjistruar një faqe interneti në dyqanet Paypal:
      1. Përdoruesi ka një llogari biznesi ose llogari "premier" të verifikuar.
      2. Përdoruesi ka qenë pjesë e sistemit të PayPal për jo më pak se 90 ditë.
      3. Përdoruesi e ka "Numrin e reputacionit të shitësit" minimalisht 10.
      Nëse në një moment të caktuar, pronari i një dyqani të regjistruar nuk përmbush një ose disa nga kërkesat e renditura më sipër, atëherë ajo faqe interneti do të çregjistrohet nga PayPal dhe nuk do të listohet më në direktorinë e Dyqaneve PayPal.

    3. Përdoruesit jashtë SHBA-së ose Kanadasë. Përdoruesit jashtë SHBA-së ose Kanadasë nuk mund të regjistrojnë një dyqan të ri në Dyqanet PayPal. Përdoruesit me dyqane ekzistuese mund të vazhdojnë të mbajnë dyqanet e tyre të listuara dhe duhet të kontaktojnë me shërbimin e klientit për të bërë modifikime në dyqanin e tyre.

    4. Faqja e internetit duhet të pranojë pagesa në PayPal. Kjo faqe duhet të pranojë pagesa në PayPal. Nëse nga verifikimet e faqes zbulohet se nuk pranon pagesa në PayPal, atëherë ajo mund të hiqet nga direktoria e Dyqaneve PayPal. Mund të regjistroni sërish faqen e internetit në Dyqanet PayPal në momentin që ajo pranon pagesa në PayPal.

    5. Tjetër. Duke u regjistruar në Dyqanet PayPal, i jepni PayPal të drejtën e kryerjes së një kontrolli krediti mbi ju ose biznesin tuaj, në çdo kohë. PayPal rezervon të drejtën të heqë çdo faqe interneti nga direktoria e Dyqaneve PayPal, në çdo kohë dhe për çfarëdolloj arsyeje.
  3. Licenca për përdorimin e informacioneve tuaja. Ju mbeteni zotërues i informacioneve që i keni dhënë PayPal për regjistrimin e faqes së internetit, por duke dhënë këto informacione, i keni dhënë gjithashtu leje PayPal që të përdorë të dhënat që lidhen me shërbimin Dyqanet PayPal. Specifikisht, po i jepni PayPal një licencë falas, joekskluzive, në mbarë botën dhe të vazhdueshme për të kopjuar, publikuar dhe shfaqur informacionet e regjistrimit të faqes në faqen e internetit të PayPal ose në mesazhe email-i që lidhen me transaksionet tuaja në PayPal, në përputhje me Politikën e privatësisë të PayPal. Kjo licencë do të përfundojë pas ndërprerjes së anëtarësimit tuaj në Dyqanet PayPal, pavarësisht nëse ndërprerja bëhet nga ju apo PayPal.

  4. Nuk përbën përkrahje. Paraqitja e informacioneve për regjistrimin e faqes së internetit në PayPal nuk validon faqen e internetit ose mallrat apo shërbimet që ofrohen në të. Çdo përpjekje për të konstatuar ose nënkuptuar se mallrat apo shërbimet janë të validuara nga PayPal, përbën arsye për ndërprerjen e menjëhershme të pjesëmarrjes suaj në Dyqanet PayPal.

  5. Nuk lejohet regjistrimi i faqeve të jashtëligjshme të internetit apo i faqeve që shkelin Politikën e PayPal për përdorimin e pranueshëm. Nuk lejohet regjistrimi i një faqeje interneti që promovon ose mundëson veprime të jashtëligjshme, duke përfshirë pa kufizim, shitjen e mallrave ose shërbimeve që shkelin pronësinë intelektuale të një pale të tretë. Gjithashtu, nuk lejohet regjistrimi i një faqeje interneti që shkel rregullat e përcaktuara në Politikën e PayPal për përdorimin e pranueshëm. Regjistrimi i faqeve të tilla përbën arsye për ndërprerjen e menjëhershme të pjesëmarrjes suaj në Dyqanet e PayPal, si dhe për mbylljen e menjëhershme të llogarisë suaj në PayPal. Gjithashtu, veprime të tilla mund të shkelin kërkesat e Wells Fargo dhe/ose rregulloret ose politikat e Mastercard/VISA, dhe si të tilla përbëjnë arsye për mbylljen e llogarive të kartave në këto organizata. Mbyllja e këtyre llogarive mund t'ju ndalojë që të hapni një llogari të re në çdo bankë përfituese që përdor Mastercard ose VISA.

  6. Blerja në faqet e internetit të regjistruara me PayPal. Informacionet për regjistrimin e faqes së internetit jepen nga pronari i faqes së internetit dhe PayPal nuk është përgjegjëse për asnjë gabim apo keqinterpretim të tyre. PayPal refuzon specifikisht të gjitha garancitë që lidhen me informacionet për regjistrimin e faqes së internetit, duke përfshirë pa kufizim, garancitë e tregtueshmërisë dhe saktësisë së përmbajtjes së informacionit. PayPal nuk garanton asnjë nivel sigurie lidhur me blerjet në faqe interneti palë të treta të regjistruara me PayPal, dhe as nuk garanton cilësinë e mallrave ose shërbimeve të ofruara në këto faqe. Për më shumë informacione mbi sigurinë në blerjet në internet, vizitoni faqen tonë Këshilla për sigurinë.

  7. Tarifat. Përfshirja në Dyqanet PayPal është aktualisht pa pagesë. Në të ardhmen mund të prezantohen tarifa, por asnjë ndryshim nuk do të bëhet pa ju njoftuar më parë.